Roli i babait
- ndihmeperburra
- Jul 7
- 4 min read

Kur bëhet fjalë për prindërimin dhe rolin e babait e të nënës në jetën e fëmijëve, rol i cili ka degraduar ndjeshëm me kohën dhe evolucionin teknologjik modern, në temat e mia që zhvilloj me studentët, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë. Thuhet që askush nuk të mëson të jesh prind e është "profesioni" më i vështirë pikërisht për këtë arsye. Por dhe kjo nuk është e vërtetë plotësisht. Nëse njerëzit do e merrnin seriozisht këtë rol kaq të rëndësishëm do të bëhej të paktën një kurrikul e veçantë në shkollat tona të mesme e universitare njësoj siç ndodh në universitete të tjera ndërkombëtare. Unë po ju sjell pak nga ajo çka në orën time në kolegj biseduam bashkë me studentët
U përqëndruam në disa studime si ai i :The Washington Post, qershor 2025, Financial Times, qershor 2025. Studimi i Universitetit të Leeds, 2023. "Përfshirja e babait në fëmijërinë e hershme: Një përmbledhje sistematike, Revista Family Relations, 2023. Studime të Harvard: The Grant Study, 2024. Concepts and Models of Family Involvement 2023. Väterreport 2023. VAPRO – Vaterschaft in 2024. Vaterschaft in Zeiten des Wandels. Perspektiven von Vätern mit jugendlichen Kindern, 2025. Väterliches Kompetenzerleben in belasteten Familiensystemen, 2024. Die Vaterrolle im sozialen Wandel, 2025. Studie „Familie und Erziehung 2025“. Vater sein heute: Eine qualitative Untersuchung zur Rolle des Vaters in modernen Familien, 2025
Më shumë se gjysma e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë rriten pa praninë e baballarëve, për arsye dhe shkaqe të ndryshme. Rezultatet e kësaj mungese janë të qarta: babai ka një rol të pazëvendësueshëm në formimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve veçanërisht të djemve në periudhën e adoleshencës
Fëmijët, sidomos djemtë, formojnë një pjesë të identitetit të tyre përmes modelit të figurës së babait. Kur ky model mungon, djemtë shpesh ndihen të pasigurt për rolin e tyre si meshkuj. Kjo mund të sjellë shpesh sjellje të ekzagjeruara ose mungesë sigurie në vetvetvete. Mungesa e babait lidhet me rritje të rasteve të agresivitetit, sjelljeve antisociale dhe vështirësi në ndërtimin e autoritetit të brendshëm moral
Shumica e njerëzve ndoshta nuk e di se babai është figura që ndihmon fëmijën të dalë nga marrëdhënia simbiotike me nënën dhe të krijojë marrëdhënie të pavarura me të tjerët. Kur kjo ndërpritet, fëmija mund të zhvillojë ndjenja pasigurie dhe vështirësi në marrëdhënie afektive. Pa përkrahjen emocionale dhe praninë e babait gjatë rritjes, shumë fëmijë zhvillojnë ndjenja të refuzimit dhe pavlefshmërisë. Kjo lidhet shpesh edhe me depresionin që në moshë të re
Shumë fëmijë e të rinj që i shohim rrugëve duke shkatërruar jetën e tyre, që drogohen, që nuk njohin përgjegjësinë e respektin, që nuk zhvillojnë ndjenja empatie ndaj më të dobtëve, që bullizojnë etj etj si këto ndodhin prej mungesës së autoritetit dhe disiplinës së ekuilibruar. Shumica e këtyre fëmijëve kanë tendencën për të kërkuar modele të dëmshme rrugëve, duke gjetur si modele kriminelë apo figura publike mjaft negative në ndikimin e tyre shoqëror
Nuk di nëse të gjitha nënat mund të kenë ndihmesën e figurave të tjera burrërore pranë tyre siç mund të jetë gjyshi, daja, xhaxhai i fëmijës (që gjithsesi nuk është babai) për t'i dhënë një krah të munguar fëmijës e nënës bashkë megjithatë një ndihmë shumë të madhe mund të japë vetë komuniteti e shkolla nëse kjo e fundit do të funksiononte vërtet
Për të gjitha nënat që mendojnë se babai nuk është dhe aq i rëndësishēm në jetën e një fëmije, shkenca dhe praktika e përditshme tregojnë të kundërtën. Mungesa e babait nuk është vetëm një boshllëk fizik por është mbi të gjitha një mungesë emocionale dhe strukturore që lë pasoja të thella. Nuk ka zëvendësim të plotë për një baba të pranishëm dhe të përkushtuar, por me përkujdesje, përkrahje psikologjike dhe praninë e figurave të tjera pozitive mashkullore, shumë nga këto pasoja mund të zbuten dhe të rregullohen disi
U ndjeva keq ndërsa disa prej studentëve të mi që janë rritur pa praninë e baballarëve të tyre, me shumë dhimbje thanë përgjigjet e tyre mbi mungesën e kësaj figure thelbësore. Disa prej tyre po i ndaj me ju
"Kam një baba gjallë diku nëpër botë, por ai s'ka qenë kurrë i gjallë për mua. Çdo herë që shihja një baba që përqafonte fëmijën e tij, më duhej të mbaja lotët e për dreq dhe tani që jam rritur ndodh e njëjta gjë
"Jam rritur duke e pyetur veten nëse mungesa ime në jetën e tij ishte faji im. Kur isha fëmijë, mendoja se një ditë do vinte. Tani që jam rritur, e di që nuk do vijë kurrë."
"Baballarët janë heronj për fëmijët. Unë kam qenë gjithmonë pa heroin tim. Kur bëja ndonjë gabim, s'kishte kush më qortonte e as t'më thoshte: do ta bësh më mirë herën tjetër.'"
"Njerëzit më thonë se i ngjaj atij. Më dhemb kur e dëgjoj këtë, sepse nuk e kam njohur kurrë. Ajo që më ka dhembur më shumë nuk është vetëm mungesa fizike por mungesa e dashurisë, mbështetjes, dhe ndjenjës që dikush është aty për ty."
"Në çdo sukses timin, ndjej një boshllëk të madh e suksesi nuk është kurrë i plotë. As marrja e diplomës nuk do të jetë gëzim i vërtetë për mua sepse ai nuk do të jetë aty të më thotë 'jam krenar për ty bir."
Përgatitur me dashuri nga një grua, bijë, nënë e pedagoge.
Ervina Toptani
Do të dish më shumë? Kontakto fb Ndihme per meshkuj, burra dhe baballare, kemi kënaqësi të ndihmojmë!
Commenti