Shenja numër 1 e inteligjencës së lartë, sipas Steve Jobs;I zgjuar në shkollë e i zgjuar në jetë s'j
- ndihmeperburra
- Nov 21, 2021
- 2 min read

Shenja numër 1 e inteligjencës së lartë, sipas Steve Jobs
I zgjuar në shkollë dhe i zgjuar në jetë s’janë e njëjta gjë. Mund të dalësh shumë mirë në universitet e të përpëlitesh në jetë. Nëse notat s’mjaftojnë për të provuar se një person është i zgjuar, si dallohen inteligjentët e vërtetë, praktikisht?
Jeff Bezos kërkon aftësinë për të ndryshuar mendjen shpesh. Elon Musk ekzaminimin e aftësive mbi kredencialet. Steve Jobs kish tjetër qasje.
Sipas ikonës së Apple në një bisedë në Akademinë e Arritjeve, çelësi për të qenë vërtet i zgjuar nuk është ekspertiza e thellë në një fushë, por aftësia për të krijuar lidhje të papritura midis fushave.
Gjerësia mposht thellësinë.
“Të jesh i zgjuar është aftësia për të zmadhuar, sikur të jesh në një qytet dhe mund ta shikosh të gjithë panoramën nga kati i 80-të; Ndërsa njerëzit e tjerë po përpiqen të kuptojnë se si të kalojnë nga pika A në pikën B duke parë harta të vogla, ti mund ta shohësh të gjithën”, thotë Jobs në bisedë.
Si e zhvillon këtë aftësi? Duke qënë gjitharmësh intelektual, duke eksploruar botën në mënyra unike dhe të papritura, thotë Jobs.
S’duhet të kesh të njëjtat përvoja si të gjithë të tjerët, përndryshe do bësh të njëjtat lidhje dhe s’do jesh novator, thotë ai.
Jo se ndonjë interes i veçantë është veçanërisht i vlefshëm, por kombinimi i fushave të palidhura të ekspertizës ju jep një pamje më të gjerë të problemeve dhe njohuri unike për zgjidhjen e tyre. Vetë Jobs u frymëzua për tipografinë e Apple nga një lëndë shkollore për kaligrafinë.
Shkenca pajtohet me Jobs.
S’ ka gjasa të sillni perspektiva të reja në punën tuaj nëse keni të njëjtat interesa si gjithë të tjerët. Shumë prej nesh e humbasin këtë, duke u shqetësuar aq shumë për ndërtimin e aftësive tona në fushën tonë kryesore të ekspertizës, saqë i themi vetes se s’kemi kohë për eksplorime "të kota" ose devijime rastësore.
Shkenca pajtohet me Jobs se një mendje e tillë e vetme mund të kufizojë inteligjencën dhe krijimtarinë tuaj. Studimet e përsëritura tregojnë një lidhje të ngushtë midis tipareve të personalitetit që psikologët e quajnë çiltërsi dhe trurit vërtetë inteligjent.
Në vitet 1960, kur shkencëtarët mbyllën një tufë gjenish në një shtëpi dhe i vëzhguan në përpjekje për të kuptuar se cilat cilësi ndanin të gjithë, ata zbuluan se çdo gjeni ishte jashtëzakonisht i hapur ndaj ideve e përvojave të reja. Një studim tjetër tregoi se oreksi i lartë për ide e përvoja të reja rrit inteligjencën tek të rinjtë dhe ndihmon në luftimin e rënies mendore.
Fokusimi është thelbësor kur përpiqeni të zbatoni një ide të mirë, por nëse doni të jeni më të zgjuar për të krijuar një ide edhe të mirë, është thelbësore të kultivoni hapje intelektuale dhe interesa të ndryshme.
Vetëm duke qenë fillimisht i shpërqendruar, do përfundoni me diçka që ia vlen të përqendroheni.
Comments