Babë e Bir
- ndihmeperburra

- Nov 6
- 1 min read

Kush jeton afër zonës së "Brrylit", me siguri i ka parë çdo mëngjes, ose çdo pasdite teksa ecin bashkë. I biri ecën i përqafuar me trupin e babës në çdo hap. Edhe në qëlloftë që baba duhet të bëjë pazar, qesen e pazarit e mban në dorën që nuk përqafon të birin.
Janë gjithmonë bashkë. Janë gjithmonë një shfaqje e një dashurie pa kushte, që vetëm një prind mund t'ia japë fëmijës që nuk është njësoj si fëmijët e tjerë.
Nëse do të kisha mundësi, do të vendosja një skulpturë në qendër të qytetit, me tiparet skajshmërisht fisnike të babës dhe shikimin lutës të të birit teksa ndien krahun e babës mbi sup. Skulptura do të quhej " Babë e bir"
Kjo skulpturë do të shërbente për të na kujtuar se sa e zhurmshme dhe vocërrake është qënia njerëzore në të përditshmen e saj dhe sa e heshtur dhe e madhe është në përmasën e dashurisë dhe të dhimbjes.
Post Scriptum- Sa herë që e shoh këtë pamje
"Babë e bir", shoh botën të gjunjëzuar para një burri fisnik, i cili ndoshta nuk e di, por në çdo hap që hedh është një leksion i pashembullt force dhe dinjiteti për sytë e çdo kalimtari.
Elona Caslli



Comments